PSG dhe Bayern Munich mendojnë shkëmbimin, Kimmich pjesë e tratativës
PSG dhe Bayern Munich janë duke diskutuar rreth mundësisë së shkëmbimit të lojtarëve në merkaton e janarit.
Sipas mediumit francez “L’Equipe”, negociatat e Bayern Munichut me PSG-në për Nordi Mukielen, i kanë lejuar parisienët që të pyesin për shërbimet e Joshua Kimmich.
Bayern ka bërë një ofertë në formë huazimi për Mukielen me një opsion blerje që mendohet të jetë rreth 25 milionë euro.
Sidoqoftë, PSG do të preferonte që të mos e lejonte largimin e mbrojtësit francez pa e gjetur zëvendësimin ideal të tij.
Fakti që Achraf Hakimi është i angazhuar me kombëtaren e Marokut në Kupën e Kombeve të Afrikës e bën marrëveshjen edhe më të vështirë për momentin.
Drejtuesit e klubit francez e shohin mesfushorin gjerman si një mundësi ideale duke marrë parasysh se ai mund të luajë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndaj ata do të mundohen që ta bëjnë Kimmich pjesë të marrëveshjes.