Hamza pas aktgjykimit në Hagë: U godit rëndë rezistenca e popullit të Kosovës

Hamza pas aktgjykimit në Hagë: U godit rëndë rezistenca e popullit të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me vendimin dhe ka thënë se ai përbën, sipas tij, një goditje të rëndë ndaj rezistencës së popullit të Kosovës për liri.

Ai ka shprehur solidaritet me familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke theksuar se ato kanë bartur për vite me radhë peshën e procesit gjyqësor.

“Familjet e tyre për gjashtë vjet e kanë mbajtur peshën e këtij procesi. Të lënduar, të zhgënjyer dhe të mllefosur jemi edhe ne. Të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët në botë”, ka deklaruar Hamza.

Kreu i PDK-së ka vlerësuar se vendimi i shpallur në Hagë nuk përfaqëson, sipas tij, vullnetin e popullit të Kosovës.

“Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës dhe kundër shtetit të Kosovës”, u shpreh Hamza.

Ai ka thënë se vendimi i sotëm prek jo vetëm individët ndaj të cilëve është shqiptuar, por edhe një pjesë të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke e cilësuar rezistencën për liri si pjesë të identitetit të shtetit të Kosovës.

Share This