Çitaku: LVV po kërkon ta zgjedhë edhe opozitën – “Kosova nuk mund të mbahet peng”

Çitaku: LVV po kërkon ta zgjedhë edhe opozitën – “Kosova nuk mund të mbahet peng”

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth konstituimit të Kuvendit dhe debatit për zgjedhjen e nënkryetarëve të tij.

Çitaku ka thënë se një deputet i LVV-së e ka pyetur se me votat e kujt do të zgjidhej ajo në pozitën e nënkryetares së Kuvendit, duke qenë se PDK-ja nuk i ka 61 deputetë.
Sipas saj, Kushtetuta është e qartë sa i përket përfaqësimit në Kryesinë e Kuvendit.

“Problemi, megjithatë, nuk jam unë. As pozita e nënkryetares. Problemi është shumë më i madh”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka rikujtuar rastet e Aida Dërgutit dhe Glauk Konjufcës, duke pyetur se me votat e kujt ishin zgjedhur ata nënkryetarë të Kuvendit.

Çitaku ka akuzuar LVV-në se po tenton të përcaktojë edhe llojin e opozitës që dëshiron.

“LVV tashmë po kërkon ta zgjedhë edhe opozitën. Jo opozitën që e kanë zgjedhur qytetarët, por opozitën që u pëlqen atyre”, është shprehur ajo.

Sipas Çitakut, përballë opozitës po vendosen dy alternativa: “Nënshtrimi ose kaosi”.

Deputetja e PDK-së ka theksuar se debati nuk është vetëm për një pozitë në Kryesinë e Kuvendit, por për respektimin e institucioneve, Kushtetutës dhe parimeve të demokracisë parlamentare.

“Kjo është betejë për një parim shumë më të madh: a është Kosova Republikë me institucione, Kushtetutë, shumicë dhe opozitë, apo është shtet ku një parti pretendon të vendosë edhe se kush guxon ta kundërshtojë?”, ka deklaruar Çitaku.

Në fund, ajo ka lidhur situatën politike me zhvillimet e pritshme në Hagë më 16 shtator, duke thënë se Kosova po përballet me një moment të rëndësishëm historik.

“Ne nuk do të zgjedhim asnjërën. Kosova është shumë më e madhe se pushteti i kujtdo.

Dhe Republika është shumë më e shtrenjtë se çdo karrige”, ka përfunduar Çitaku. /Rekordi.net

Share This