IKSHPK: 158 raste me fruth, mbi 95% e tyre të pavaksinuar

IKSHPK: 158 raste me fruth, mbi 95% e tyre të pavaksinuar

Në Kosovë janë konfirmuar 158 raste me fruth që nga 16 prilli deri më 6 shtator 2026, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar shtatë raste të reja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët, duke e cilësuar vaksinimin si masën më të rëndësishme për mbrojtjen nga fruthi.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR.

“Vaksinimi kundër fruthit është masa më e rëndësishme dhe e sigurt për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe komunitetit”, thuhet në njoftimin e institutit.

Tutje IKSHPK-ja thotë se të dhënat për rastet e konfirmuara tregojnë rëndësinë e vaksinimit në parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

“Të dhënat tregojnë se mbi 95% e rasteve të konfirmuara me fruth janë te personat e pavaksinuar me vaksinën MMR, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi”, theksohet në njoftim.

Krahas vaksinimit të rregullt sipas kalendarit të imunizimit, në Kosovë është intensifikuar edhe vaksinimi i vonuar, i njohur si “catch-up”. Ky proces u mundëson fëmijëve që, për arsye të ndryshme, kanë shtyrë vaksinimin, që t’i marrin vaksinat e nevojshme.

Sipas IKSHPK-së, gjatë këtij viti mbi 2,700 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç janë vaksinuar përmes vaksinimit “catch-up”.

Instituti ka vlerësuar pozitivisht angazhimin e prindërve, profesionistëve shëndetësorë, institucioneve dhe qytetarëve për rritjen e vaksinimit dhe mbrojtjen e fëmijëve nga fruthi.

“Çdo fëmijë i vaksinuar është një fëmijë më shumë i mbrojtur dhe një hap më afër ndërprerjes së përhapjes së sëmundjes”, thekson IKSHPK-ja.

Instituti u ka bërë thirrje prindërve që të kujdesen për vaksinimin e rregullt të fëmijëve dhe, në rastet kur vaksinimi është shtyrë, të shfrytëzojnë mundësinë e vaksinimit “catch-up”.

“Vaksinimi i rregullt + catch-up = më shumë fëmijë të mbrojtur!”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.

Share This