
Çitaku: Thaçi e të tjerët që 6 vjet në Hagë, disa këtu ende i shfrytëzojnë për protagonizëm
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj kritikave dhe përmendjes së vazhdueshme të figurave të kësaj partie në debatin politik, duke thënë se PDK-ja prej vitesh është në opozitë, ndërsa ish-krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, ndodhen në Hagë që nga viti 2020.
Çitaku ka theksuar se aktgjykimi ndaj tyre pritet më 16 shtator, duke e cilësuar procesin në Hagë si një betejë shumë më të madhe sesa, sipas saj, “lojërat e imëta politike” në Kosovë.
“Hashim Thaçi është në Hagë, në një betejë shumë më të madhe se këto lojërat e imëta politike që bëhen këtu. Bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, tash e gati gjashtë vjet, nuk janë këtu”, ka shkruar Çitaku.
“Amani ju qoftë, gjeni ndonjë kauzë tjetër”, ka deklaruar Çitaku, duke shtuar se përmendja e vazhdueshme e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk duhet të përdoret si mjet për protagonizëm politik.
“Jemi në vitin 2026. Ata nuk janë këtu që nga nëntori i vitit 2020. Nuk janë në Qeveri. Nuk janë në Kuvend. Nuk udhëheqin partitë. Nuk marrin vendime për ju. Nuk ju pengojnë të punoni. Nuk ju pengojnë të fitoni zgjedhje. Nuk ju pengojnë të bëheni të rëndësishëm”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka përdorur edhe një krahasim për të ironizuar, siç e sheh ajo, përpjekjet për të fituar rëndësi politike përmes përmendjes së ish-krerëve të UÇK-së.
“Sepse është bërë bajat që, për t’u dukur më të mëdhenj, vazhdimisht t’ju duhet hija e njerëzve që tash e gjashtë vjet nuk janë as këtu”, ka shkruar ajo.
Në fund, nënkryetarja e PDK-së ka drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kritikëve të tyre: “Nëse edhe pas gjashtë vjetësh mungesë, ju duhet Hashim Thaçi për t’u bërë relevantë, atëherë problemi nuk është Hashim Thaçi.”

