
Çitaku: PDK nuk është e interesuar për pazare me Kurtin, por për institucione
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia e saj nuk është e interesuar për “pazare politike” me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, por për funksionalizimin e institucioneve të vendit.
Çitaku ka thënë se PDK-ja vazhdimisht ka kërkuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe respektimin e Kushtetutës, duke theksuar se vendi ka nevojë për institucione funksionale.
“Është një e pavërtetë e madhe të thuhet se PDK e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për formimin e institucioneve.
PDK, me këmbëngulje, ka kërkuar konstituimin e Kuvendit, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, nga i cili burojnë institucionet e tjera.
Kemi qenë çdo 48 orë në Kuvend.
Kemi qenë çdo ditë para Qeverisë.
Kemi kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe funksionimin e institucioneve.
PDK nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për pazare politike me Albin Kurtin. Kjo është e vërtetë.
Por për institucione? Gjithmonë.
Prandaj, ejani nesër në Kuvend. Në orën 11:00.
Ne jemi aty.
Kosova ka nevojë për institucione, jo për pazare”, ka shkruar Çitaku.

