
INSTAT: 32 mijë të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri
Numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri vijoi rritjen gjatë vitit 2025, duke arritur në 32 163 persona në fund të vitit, ose 46,6% më shumë krahasuar me vitin 2024.
Sipas publikimit më të fundit të INSTAT, meshkujt përbëjnë 65% të të huajve me leje qëndrimi, ndërsa femrat 35%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç, me 24,5% të totalit.
Evropa mbetet kontinenti me numrin më të madh të shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me 17 022 persona ose 52,9% të totalit. Krahasuar me vitin 2024, numri i tyre është rritur me 18,5%.
Rritje të ndjeshme është regjistruar edhe te shtetasit nga Azia, me 117,6%, duke arritur në 9 891 persona. Ndërkohë, numri i të huajve nga Amerika, Afrika dhe Oqeania u rrit me 73,4%, në 5 250 persona.
Punësimi është arsyeja kryesore e qëndrimit në Shqipëri, duke përbërë 55,1% të lejeve të qëndrimit. Pas tij renditen bashkimi familjar me 19,8%, arsye të tjera me 14,1%, qëllimet humanitare me 7,9% dhe studimi me 3,1%.
Sipas INSTAT edhe aplikimet për leje qëndrimi shënuan rritje. Në vitin 2025 ato u shtuan me 43,5% krahasuar me vitin 2024, ndërsa shtetasit nga India dhe Filipinet përbënë së bashku 26,6% të aplikimeve.
Sa i përket origjinës, Kosova dhe Italia kryesojnë listën e shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri, me përkatësisht 19,5% dhe 12,6% të totalit. Më pas renditen India me 9% dhe Filipinet me 7,5%.
Në shifra absolute, në vitin 2025 rezultojnë 6 284 shtetas nga Kosova, 4 065 nga Italia, 2 886 nga India dhe 2 401 nga Filipinet. Rritjen më të madhe krahasuar me vitin 2024 e kanë shënuar shtetasit nga Filipinet, me 136,1%, dhe nga India, me 87,6%.
INSTAT bën të ditur gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1 926 të huaj të parregullt, nga 1 540 në vitin 2024.
Të dhënat janë publikuar në kuadër të botimit “Të huajt në Shqipëri, 2025”, bazuar në informacionet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të përpunuara nga INSTAT. /atsh/

