
Operacionet në veri, policia paralajmëron zbulimin e arsenalit të konfiskuar
Policia e Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një konference të jashtëzakonshme për media, ku pritet të prezantohen detaje lidhur me operacionet e zhvilluara në disa lokacione në veri të Mitrovicës.
Konferenca do të mbahet sot, më 20 gusht, në ora 16:00, në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
“Në këtë konferencë do të paraqiten detaje rreth operacioneve policore të realizuara në disa lokacione në Mitrovicë Veri, të cilat kanë të bëjnë me gjetjen dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniformave dhe dëshmive të tjera relevante, të cilat do të ekspozohen për media”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
Po ashtu, do të jepen informacione lidhur me veprimet policore në rastin “Krime të Luftës ndaj Popullatës Civile”, të cilat po zhvillohen në disa lokacione të dyshuara në Zubin Potok.
Në konferencë pritet të marrin pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

