LAJMI I DITËS: Lumbardh Dellova afër klubit të madh rumun
Klubi rumun Craiova University është afër marrëveshjes me yllin e Ballkanit Lumbard Dellova, kështu se paku raporton mediumi rumun “GSP.ro”.
Dellova mund të bëhet futbollisti më i fundit kosovar që kalon në Superligën e Rumanisë, pasi negociatat raportohet të jenë të avancuara.
Trajneri Ivaylo Petev është admirues i madh i yllit të Ballkanit duke e vlerësuar qendërmbrojtësin si adekuati për ta ndihmuar klubin që të luftojë për titullin kampion.
Ajo që i pëlqen më së shumti klubit rumun, është që përpos pozitës së qendërmbrojtësit, Dellova mund të luajë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes duke qenë profil i shkëlqyer.
Përpos kësaj, në rast që Dellova i thotë “PO” ofertës atëherë rumunët kanë edhe një tjetër avantazh, meqenëse kosovari ka hyrë nga gjashtë muajt e fundit të kontratës, andaj cilado ofertë do të ishte e pranueshme nga Ballkani.
Dellova vlerësohet rreth 600 mijë euro në “Transfermarkt”, megjithatë gjasat janë të mëdha që shitja e tij të ndodhë në ndonjë vlerë më të ulët shkaku i kontratës, shkruan nacionale.
Ndërkohë, Ballkani përpos Dellovës mund të shesë edhe mbrojtësin Armend Thaqi si dhe sulmuesin Nazmi Gripshi.