Brazili mendon për Mourinhon, Roma mban peng portugezin
Pak ditë më parë Jose Mourinho konfirmoi se e ardhmja e tij ishte e lidhur me Romën dhe se nuk do të fliste më për këtë temë, por duket se tashmë gjërat kanë ndryshuar.
Për teknikun portugez të verdhekuqve ka shfaqur interesim Brazili, që pasi humbi Carlo Ancelottin (rinovoi kontratën me Realin e Madridit), synon që ti besojë stolin e kombëtares Mourinhos.
Portugezi, të cilit i skadon kontrata me klubin italian në qershor të vitit 2024, është i bindur që drejtuesit e Romës nuk kanë vendosur akoma se kujt do t’i besojnë stolin sezonin e ardhshëm, prandaj pret një sinjal konfirmimi nga Friedkin.
Për këtë arsye, sipas mediave italiane, Mourinho i ka thënë drejtuesve më të lartë të federatës braziliane të futbollit (që kontaktuan agjentin e tij Jorge Mendes) se për momentin nuk mundet që të marrë drejtimin e Brazilit sepse ka një kontratë me Romën, por në të ardhmen nuk i dihet.
Edhe në Brazil situata nuk është shumë e mirë, pasi “seleçao” rrezikon përjashtimin nga kompeticionet e FIFA-s për shkak të ndërhyrjes së shtetit në punët e brendshme të federatës (presidenti Ednaldo Rodrigues u shkarkua nga detyra për parregullsi në zgjedhje).