CR7 fiton çmimin “Maradona”, iu “tregon targën” Haaland, Mbappe dhe Kane
Cristiano Ronaldo i shton një trofe koleksionit të tij, duke fituar çmimin “Maradona” si golashënuesi më i mirë në “Dubai Globe Soccer Awards” 2023.
Me 54 gola në 59 ndeshje, portugezi nënshkroi paraqitjen e tij më të mirë në një vit kalendarik, që nga viti 2017, kur shënoi 53 gola për Real Madridin.
Kësisoji, ylli portugez la pas vetes Kylian Mbappé (52 gola në 53 ndeshje), Harry Kane (52 gola në 57 ndeshje) dhe Erling Haaland (50 gola në 60 ndeshje), në garën për golashënuesin më të
mirë të vitit kalendarik 2023. Trofeu kurorëzon një periudhë magjike për yllin e Al Nassr, i cili tashmë ka shënuar 34 gola në 34 ndeshje në kampionatin aktual të Ligës Pro Saudite.
Ky nuk është i vetmi çmim që Cristiano Ronaldo mund të marrë gjatë ceremonisë së “Dubai Globe Soccer Awards”, të planifikuar për më 19 janar në Atlantis, The Palm të Dubait.
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave, me 872 gola të shënuar aktualisht, është gjithashtu në garë për “lojtari më i mirë për meshkuj”, “lojtari më i mirë i Lindjes së Mesme” dhe “lojtari i preferuar i tifozëve”.
Raundi i dytë dhe i fundit i votimit në të 11 kategoritë kryesore dhe 6 kategoritë dixhitale, informojnë organizatorët, pa mbi 50 milionë vota të hedhura nga fansat në mbarë botën për një total kumulativ që kalon 70 milionë në të gjithë procesin, duke dyfishuar numrin e votave të regjistruara në vitin 2022.
Juria zyrtare e “Globe Soccer”, e përbërë nga mbi 30 figura kryesore nga industria e futbollit, duke përfshirë Francesco Totti, Iker Casillas, Luis Figo dhe Marcello Lippi, u përfshi në fazën e fundit të përzgjedhjes, e mbyllur më 28 dhjetor 2023. Rekord edhe në lidhje me shkarkimin e aplikacionit të ri “Globe Soccer”, me 1.5 milionë njerëz që kanë regjistruar votat e tyre në këtë platformë të dedikuar. /telesport/