“Jemi në një situatë dramatike”, Mourinho: Mos u habisni kur Lukaku të luaj në mbrojtje
Roma u kualifikua jo pa vështirësi në çerekfinalen e Kupës së Italisë, me verdhekuqtë që triumfuan me përmbysje 2-1 në Olimpico përballë Cremonese.
Pas sfidës, trajneri Jose Mourinho theksoi edhe njëherë problemet në mbrojtje të skuadrës duke qenë se aktualisht Smalling dhe Kumbulla janë të dëmtuar ndërs Ndicka do të largohet për në Kupën e Afrikës.
Portugezi shtoi se në ndeshjen e datës 10 janar për Kupën e Italisë ndaj Lazios, në mbrojtje mund të aktivizojë edhe Romelu Lukakut pasi alternativat janë me pikatore.
“Derbi në çerekfinalen e Kupës? Nuk e di se si do të mbërrijë skuadra në atë ndeshje. Të dielën kemi një sfidë të vështirë ndaj Atalantës dhe do të japim gjithçka në fushë. Në ndeshjen e Kupës. nëse do të më duhet që ta përdor Lukakun mbrojtës, nuk do të hezitoj dhe do ta bëj.
E rëndësishme është të japim gjithçka kemi sepse është një ndeshje që ndjehet shumë nga tifozët. Megjithatë, e përsëris që përpara është Atalanta. Ky klub dhe tifozët e saj meritojnë maksimumin sepse në çdo ndeshje po e mbushin stadiumin plot.
Ka probleme në mbrojtje, për mua është dramatike që kemi jashtë një si Smalling, pastaj mungon edhe Kumbulla ndërsa Ndicka do të largohet. Jemi në vështirësi të jashtëzakonshme”, tha Mourinho.
Në vijim, tekniku nga Setubali u pyet edhe për një mundësi që në të ardhmen të drejojë kombëtaren e Brazilit duke qenë se Selecaot dështuan në negociatat me Carlo Ancelottin.
“Brazili? Unë nuk kam folur me askënd. E kam paralajmëruar edhe agjentin që të mos nisë negociata derisa të kuptojmë qartë nëse do të qëndrojmë te Roma edhe për vitin tjetër”, u shpreh 60-vjeçari.