Ministria e Jashtme iraniane: Marrëveshja me Omanin për Ngushticën e Hormuzit, në fazat përfundimtare

Ministria e Jashtme iraniane: Marrëveshja me Omanin për Ngushticën e Hormuzit, në fazat përfundimtare

Irani ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje me Omanin për krijimin e një rruge detare nëpër Ngushticën e Hormuzit, në një përpjekje për të lehtësuar transportin detar në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha se marrëveshja ndodhet në fazat përfundimtare, por nuk dha detaje të tjera mbi përmbajtjen e saj. Ai theksoi se, pavarësisht dakordësisë me Omanin, siguria e lundrimit në ngushticë nuk mund të garantohet për shkak të asaj që Teherani e cilëson si bllokadë detare dhe veprime kërcënuese nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas Baqaeit, palët kanë rënë dakord për “koordinatat gjeografike të rrugës”, ndërsa zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, deklaroi se korridori i ri do të jetë i përkohshëm dhe mund të mbetet i hapur për një periudhë prej dy deri në katër muaj. Ngushtica e Hormuzit ka qenë në qendër të tensioneve që prej përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit. Përmes kësaj rruge kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm (LNG), ndërsa trafiku detar është reduktuar ndjeshëm muajt e fundit.

Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi të martën se Irani do të “goditet shumë rëndë” nëse ngushtica nuk rihapet “shumë shpejt”. Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë kanë deklaruar se janë bërë përparime në përpjekjet për rifillimin e transportit detar, megjithëse Teherani këmbëngul se nuk po zhvillon negociata me Uashingtonin. Një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mbetet kërkesa e Iranit për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Irani kërkon tarifa nga 5% deri në 7% të vlerës së ngarkesës, ndërsa Omani ka propozuar rreth 3%, kurse SHBA-ja kundërshton çdo tarifim. /rtsh/

Share This