AC Milan e eliminon Cagliarin, prek çerekfinalen e Kupës së Italisë
AC Milan ka siguruar çerekfinalen e Kupës së Italisë pas fitores ndaj Cagliarit.
“Rossonerët” e nisën vitin 2024 në mënyrën më të mirë të mundshme, duke triumfuar me rezultat bindës 4:1 ndaj Cagliarit.
Milan ishte shumë herë më e mirë nga minuta e parë, duke dominuar tërë lojën.
Luka Jovic kaloi Milanin në epërsi pas një aksioni të shpejtë, ku u asistua nga Theo Hernandez (29’).
Dyshja bashkëpunuan prapë në përfundimin e pjesës së parë për ta dyfishuar epërsinë (42’).
Milan vazhdoi fuqishëm edhe në pjesën e dytë, duke realizuar edhe dy herë tjera për ta vulosur fitoren.
Fillimisht talenti Traore realizoi një gol të bukur për rezultatin 3:0 (50’).
Cagliari e ngushtoi epërsinë përmes Azzi që u gjend në vendin e duhur pas një topi të kthyer (88’).
Megjithatë, Milani e vulosi fitoren me një gol solo nga Rafael Leao që shënoi nga afërsia pas driblimeve fantastike (90+2’), shkruan nacionale.
AC Milan kështu avancon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e takimit Sassuolo – Atalanta.