
Tronditëse në ShBA: 32-vjeçarja vret babanë e saj dhe ia nxjerrë zemrën
Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin e Indianës në Shtetet e Bashkuara, ku një grua 32-vjeçare është arrestuar dhe akuzohet për vrasjen e babait të saj në rrethana makabre.
Sipas autoriteteve, policia e Porter County u thirr mbrëmjen e 26 korrikut për të kryer një kontroll mirëqenieje në një banesë në Morgan Township, pasi familjarët e viktimës nuk kishin mundur të kontaktonin me të, shkruajnë mediat amerikane, transmeton Klankosova.tv.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët panë përmes dritares trupin e një personi të shtrirë në dysheme, i mbuluar me gjak të tharë. Pas hyrjes me forcë në banesë, ata gjetën të pajetë Gregory Dolnics.
Në banesë u arrestua vajza e viktimës, Serena Dolnics, 32 vjeçe, e cila jetonte me të atin. Sipas policisë, ajo u gjet në një nga dhomat e shtëpisë me njolla gjaku në veshje, këmbë dhe trup.
Pak para se policia të mbërrinte në banesë, i dashuri i Serenës kishte kontaktuar familjen e viktimës, duke pretenduar se e kishte parë atë të mbuluar me gjak dhe se kishte frikë se ajo mund t’i jepte fund jetës së saj.
Pas arrestimit, Serena u dërgua për ekzaminim në një spital lokal, ku mjekët konstatuan dëmtime në dorë që, sipas dokumenteve, ishin në përputhje me plagë të shkaktuara gjatë përdorimit të një thike. Brenda banesës policia sekuestroi tre thika të mbuluara me gjak.
Gjatë marrjes në pyetje, Serena u tha hetuesve se kishte qenë duke parë televizor gjatë ditës dhe deklaroi se marrëdhënia me babanë e saj ishte e mirë.
Më 27 korrik, ajo u arrestua zyrtarisht nën akuzën për vrasje dhe mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht. Gjatë paraqitjes së saj në gjykatë, Serena është deklaruar e pafajshme.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë.

