
Zhvillime të reja- Fisnik Asllani e “ngrin” transferin tek klubi gjerman, e pret Barcelonën
Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani është lojtar që po kërkohet nga disa klube, por ende nuk ka finalizuar transferimin, pasi thuhet se ai vazhdon të presë për kalim të mundshëm tek Barcelona.
Sipas Diario Sport, RB Leipzig shpreson të arrijë marrëveshje për Asllanin, por sulmuesi “ka kërkuar kohë” me shpresën se Barcelona do ta telefonojë atë, përcjell Insajderi.
Agjenti i Asllanit ka pranuar më parë se ka pasur kontakte me Barcelonën, klub ky që po kërkon një sulmues të ri qëndror për të zëvendësuar Robert Lewandowski-n.
Thuhet se Barcelona e ka monitoruar Asllanin për një kohe dhe është impresionuar nga ajo që ka parë. Hansi Flick është entuziast i madh i cilësive të sulmuesit kosovar, veçanërisht faktit që ai është finalizues i shkëlqyer me të dyja këmbët.
Sport thotë se Asllani mund të arrijë tek blaugranasit nëse Ferran Torres largohet këtë verë, por Barcelona mund të bëjë një ofertë për 24-vjeçarin edhe nëse ai qëndron.
Klauzola e lirimit të Asllanit është vetëm 29 milionë euro, duke e bërë atë një mundësi të mirë në treg, në periudhën kur janë shtuar dyshimet nëse Barcelona do të jetë në gjendje të nënshkruajë me objektivin kryesor, Julian Alvarez, këtë verë.

