Lautaro ka radhën e rinovimit, komplikohet situata për Dumfries
Interi rinovoi kontratat me tre nga titullarët e skuadrës të shtunën e 30 dhjetorit, teksa Dimarco zgjati bashkëpunimin deri në 2027-ën, Mkhitaryan deri në 2026-ën dhe Darmian deri në 2025-ën.
I radhës që pritet të hedhë firmën mbi kontratën e re, është kapiteni Lautaro Martinez, teksa media italiane raporton se është arritur tashmë marrëveshja për rinovimin dhe zyrtarizimi do të vijë brenda javës së parë të janarit.
Lautaro ka rënë dakord të zgjasë bashkëpunimin me Interin deri në verën e 2028-ës, teksa nga kontrata e re do të përfitojë një pagë neto prej 8 milionë eurosh, të cilës mund t’i shtohen edhe bonuset.
Pas kapitenit, do të jetë radha e zv. Kapitenit, Nicolo Barella, me drejtuesit e Interit që kanë nisur tashmë negociatat, në mënyrë që të blindojnë dy nga ‘flamujt’ e skuadrës zikaltër.
Ndërkohë komplikohet edhe më shumë rinovimi me Denzel Dumfries. Mbrojtësi holandez kërkoi 5 milionë euro pagë, nga 4 që ofronte Interi, teksa dështimi i rinovimit deri më 31 dhjetor, e bën edhe më të pamundur në janar.
Kjo pasi shfuqizimi i dekretit të rritjes nga ana e qeverisë, e shton ndjeshëm koston e holandezit, ndaj zikaltrit me shumë gjasë do ta nxjerrin në merkato në verë, për të mos e humbur me parametra zero në 2025-ën.