Deklarata e Paunoviq ndaj Kosovës, Kos: Nuk mund ta imagjinoj që vazhdon të jetë ende ministre

Deklarata e Paunoviq ndaj Kosovës, Kos: Nuk mund ta imagjinoj që vazhdon të jetë ende ministre

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka dënuar sërish deklaratat e ministres serbe të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, lidhur me Kosovën, duke i cilësuar ato tronditëse dhe të papranueshme.

Gjatë një seance në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos tha se ishte e habitur që Paunoviq vazhdon të mbajë postin e ministres, pas deklaratave të saj.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Marta Kos.

Komisionerja u bëri gjithashtu thirrje politikanëve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që të tregojnë përgjegjësi në deklaratat e tyre publike, duke theksuar se çdo fjalë ka peshë dhe pasoja.

Paunoviq tha se nëse do të kishte qenë në krye të shtetit në vitin 1998, nuk do t’i kishte “spastruar etnikisht shqiptarët”.

Këto deklarata u dënuan menjëherë nga Bashkimi Evropian dhe shkaktuan reagime të forta në Kosovë. Më 14 korrik, autoritetet në Prishtinë e shpallën Snezhana Paunoviq person të padëshiruar, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e Kosovës. /rtsh/

Share This