“Jam tifoz, u rrita duke parë Barcelonën! Dua të qëndroj këtu”
Joao Cancelo u huazua gjatë verës nga Manchester City te Barcelona, duke realizuar një ëndërr të fëmijërisë.
Lojtari portugez po performon shumë mirë me kampionët në fuqi të Spanjës.
29-vjeçari ka regjistruar deri tani 3 gola dhe 2 asiste mes kampionatit dhe Champions League. Joao Cancelo shpreson që katalanasit ta blejnë kartonin e tij në fundin e sezonit.
“Unë kam qenë gjithmonë tifoz i Barcelonës. Jam rritur duke parë ndeshjet e Barçës. E pata të lehtë të përshtatesha, sepse e dua këtë klub. Më pëlqejnë shumë dinamikat e klubit, kështu që ishte shumë e lehtë për mua të përshtatesha shpejt këtu”.
Nuk mungon një koment për Pep Guardiolën: “Është bukur të punosh me të, por dëshira ime ishte të vija te Barcelona. Shpresoj të mbetem këtu edhe pas përfundimit të huazimit. Por është herët për të folur për këtë çështje, të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë verës”, theksoi anësori i djathtë portugez.