Calhanoglu refuzon sërish milionat nga Arabia Saudite
Gjatë verës disa klube nga Arabia Saudite kërkuan me ngulm që të bënin të tyre Hakan Calhanoglu.
Sirenat arabe rikthehen sërish për mesfushorin turk, që po shkëlqen me fanellën e Interit.
Në javët e fundit për turkun ka shfaqur interes Al Hilal, skuadra që bleu Neymar në verë për sulmin, por më pas braziliani pësoi një dëmtim të rëndë, duke lënë boshllëqe në repartin e avancuar. Klubi arab kërkonte të transferonte Calhanoglu sa më shpejt, duke i bërë një ofertë tunduese.
Al Hilal i ofronte lojtarit një kontratë katër vjeçare, ku ai do të përfitonte 18 milionë euro në sezon, trefishin e pagës që merr aktualisht tek Interi. Por turku ka refuzuar në mënyrë të prerë, njësoj si gjatë verës.
“Faleminderit, por dua të qëndroj tek Interi”, ka thënë turku, që synon titullin me skuadrën zikaltër këtë sezon.
Calhanoglu është kthyer në një nga idhujt e tifozerisë dhe synon që të fitojë sa më shumë si protagonist me fanellën e Interit.