Një alternativë për mbrojtjen, Bayerni synon Varane
Mbrojtësit Raphael Varane i skadon kontrata me Manchester United në fund të sezonit dhe me shumë mundësi lojtari do të largohet nga Anglia.
Pas një fillimi të mbarë, me një gol të shënuar në ndeshjen e parë të Premier League përballë Wolverhampton, francezi humbi vendin e tij në formacionin e Ten Hag dhe është rikthyer titullar vetëm në dy ndeshjet e fundit që “djajtë e kuq” kanë luajtur përballë Liverpool dhe Aston Villas. 915 minuta në total është aktivizuar Varane këtë sezon mes kampionatit dhe Champions League.
Ka shumë mundësi që klubi anglez të mos i rinovojë kontratën dhe lojtari të largohet nga United që në merkaton e janarit.
Ish-mbrojtësi i Realit të Madridit ka përfunduar në radarët e Bayernit të Mynihut, që kërkojnë të përfitojnë nga kjo situatë për të sjellë francezin në Gjermani. Për të bindur “djajtë e kuq” për të lënë të lirë Varane, duhen 20 milionë euro, një shifër që mund të përballohet pa problem nga kampionët e Gjermanisë.