Përmbysje e çmendur, United fitore me zemër përballë Aston Villas

Përmbysje e çmendur, United fitore me zemër përballë Aston Villas

Një ndeshje e mbushur me emocionet të larmishme rezultoi të ishte ajo mes Manchester United dhe Aston Villas në Old Trafford, sfidë që përfundoi me shifrat 3-2.

Vendasit ishin buzë greminës në pjesën e parë teksa e panë veten në disavantazhin e dy golave. McGinn dhe Dendoncker realizuan brenda pesë minutave (21 dhe 26) për të tronditur tifozerinë e pranishme në Teatrin e Wndrrave.

Megjithatë, vendasit nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe në pjesën e dytë shfaqën versionin më të mirë të këtij sezoni. United e përmbysi ndeshjen teksa ai që nisi festivalin e golave ishte Garnacho. Argjentinasi shënoi që në të 48-tën, mirëpo goli u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, sulmuesi ishte i vendosur dhe pas 11 minutash shënoi sërish duke shkurtuar diferencën.

Në minutën e 71, Garnacho gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe barazoi gjithçka.

Miqtë për pak sa nuk befasuan sërish, por Evans shpëtoi një gol të sigurt duke larguar topin e goditur nga Douglas Luiz në vijën fatale. Gjithsesi, barazimi nuk kënaqte United me Djajtë e Kuq që realizuan golin e përmbysjes në minutën e 82 me Hojlund.

Për danezin ishte goli i parë në Premier League, me këtë të fundit që duket se e kishte rezervuar për një ndeshje speciale. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe United mori një trepikësh me shumë vlera duke u ngjitur aktualisht në kuotën e 31 pikëve në vend të gjashtë. Nga ana tjetër, Aston Villa renditet në vendin e tretë me 39 pikë. /SS/

Share This