Sutton kritikon ashpër Ronaldon: Po endet në fushë si një gjysh

Sutton kritikon ashpër Ronaldon: Po endet në fushë si një gjysh

Ish-sulmuesi anglez dhe analisti i “BBC Sport”, Chris Sutton, ka kritikuar ashpër Cristiano Ronaldon dhe ish-përzgjedhësin Roberto Martinez pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës 2026.

Portugalia u ndal në fazën e 1/8 së finales, pasi u mposht 1-0 nga Spanja, ndërsa menjëherë pas ndeshjes Roberto Martinez dha dorëheqje nga posti i përzgjedhësit.

Sutton vlerësoi se vendimi i Martinezit për ta mbajtur Ronaldon në fushë gjatë gjithë ndeshjes ishte një nga arsyet kryesore të eliminimit të Portugalisë.

“Ai (Ronaldo) po endet nëpër fushë si një gjysh. Pikërisht për këtë arsye Portugalia është eliminuar”, tha Sutton.

Analisti anglez kujtoi se në Kupën e Botës së kaluar, Gonçalo Ramos kishte shkëlqyer pasi kishte zëvendësuar Ronaldon.

“Cristiano Ronaldo nuk bën asgjë. Gonçalo Ramos luajti në fazën e 1/8 së finales në Botërorin e kaluar dhe shënoi një het-trik kur trajneri pati guximin ta linte Ronaldon në stol”, theksoi ai.

Sutton shtoi se katër vite më vonë situata është përkeqësuar, ndërsa kritikoi Martinezin për mënyrën se si e menaxhoi yllin portugez.

“Kanë kaluar katër vjet, Ronaldo është katër vjet më i vjetër dhe ja ku jemi. Çfarë po bën Martinez? Si mund t’i përshtatesh kaq shumë një lojtari?”, tha ai.

Në fund, ai e bëri të qartë se përgjegjësi kryesor për eliminimin ishte trajneri spanjoll.

“Portugalia është eliminuar për shkak të Roberto Martinezit.”

Pas largimit të Martinezit, Federata Portugeze e Futbollit pritet të nisë kërkimet për përzgjedhësin e ri.

Në mesin e emrave të përfolur për ta marrë drejtimin e kombëtares portugeze është edhe trajneri me përvojë, Jorge Jesus.

Share This