
Avokati i Popullit nis hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim të të arrestuarve në Gazimestan
Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë tha se ka hapur hetime, sipas detyrës zyrtare, lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarët policorë të të arrestuarve gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, më 28 qershor.
Në Gazimestan ishin ndaluar 37 persona, ndërkaq 36 prej tyre u proceduan para gjykatës. Gjykata Themelore në Prishtinë më pas shqiptoi masë të dëbimit dhe ndalimit të hyrjes në Kosovë për tre vjet si dhe gjoba për ta.
Pas ndalimit të tyre më 28 qershor, në opinion u shfaqën pretendime se personat e ndaluar janë ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik dhe psikologjik nga disa zyrtarë policorë, të cilët, sipas këtyre pretendimeve, i kanë goditur me shuplaka, i kanë rrahur, fyer dhe poshtëruar, si dhe i kanë detyruar të brohorasin “Kosova Republikë”.
Avokati i Popullit i Kosovës tha se hetimet nisën pas ankesave të pranuara dhe informacioneve të dërguara nga organizata të ndryshme joqeveritare.
“Institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime lidhur me pretendimet e publikuara dhe ankesat e pranuara nga disa qytetarë, të arrestuar nga Policia e Kosovës, se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit të tyre në stacion policor, si dhe se ndaj tyre janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, u tha në njoftim.
Sipas këtij institucioni, hetimet synojnë të verifikojnë faktet e kësaj ngjarjeje dhe vlerësimin nëse gjatë trajtimit të të arrestuarve janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dh ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ky institucion tha se çdo person i arrestuar duhet të trajtohet me dinjitet dhe të mos i ekspozohet keqtrajtimit fizik, ndëshkimit çnjerëzor apo poshtërues.
“Në kuadër të hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë mbledhjen e informatave dhe dokumentacionit përkatës nga autoritetet kompetente, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të Institucionit”, tha Avokati i Popullit, duke shtuar se në fund të hetimeve do të njoftojë opinionin për gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
Ndërkaq, nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ditë më parë i thanë Radios Evropa e Lirë se do t’i hetojnë pretendimet se policët kanë keqtrajtuar psikologjikisht dhe fizikisht personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit. Hetimi, sipas IKP-së, do të nisë sipas detyrës zyrtare.
Lidhur me arrestimet në Gazimestan, Avokati i Popullit i Serbisë, Zoran Pashaliq, më herët i ishte drejtuar Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, me kërkesë që, në kuadër të kompetencave të tij, të hetojë urgjentisht të gjitha rrethanat e ndalimit të një numri më të madh qytetarësh të përkatësisë etnike serbe pas shënimit të Vidovdanit në Gazimestan.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të përkujtuar betejën kundër Perandorisë Osmane më 1389.
Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Milosheviq, mbajti në atë vend në vitin 1989. Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. /REL/

