Wood mposht i vetëm Newcastle dhe merr topin në shtëpi
Nottingham Forest surprizon Newcastle në “St. James’s Park”, ku ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 me përmbysje.
Sulmuesi nga Zelanda e Re, Chriss Wood ishte heroi i Nottingham, pasi shënoi tre herë në portën e Newcastle, duke u dhënë tre pikët të tijve dhe duke marrë topin e ndeshjes në shtëpi.
Vendasit e nisën mirë dhe pas disa rastesh, gjetën golin e avantazhit me anë të suedezit Isak, i cili shndërroi në gol penalltinë e fituar vetë.
Megjithatë Wood riktheu baraspeshën pak para fundit të pjesës së parë dhe në fillim të të dytës shënoi dy herë të tjera, duke kompletuar përmbysjen dhe vulosur triumfin e Nottingham Forest.
Kjo është humbja e tetë në 19 ndeshje për Newcastle, që mban vendin e 7 me 28 pikë, plot 8 pikë larg zonës Champions të renditjes.