
Hezbollahu refuzon marrëveshjen e sigurisë SHBA–Izrael
Lideri i Hezbollahut, Naim Qassem, hodhi poshtë sot marrëveshjen e sigurisë mes Libanit dhe Izraelit, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, një ditë pas nënshkrimit të saj, duke e përshkruar atë, si një “dorëzim” ndaj Izraelit, raportoi “Reuters”.
Në një tjetër shembull të armiqësive, që vazhdojnë pavarësisht armëpushimeve dhe marrëveshjeve të përsëritura, Izraeli kreu një sulm me dron në jug të Libanit.
Më shumë se një milion libanezë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, për shkak të konfliktit që ka vijuar paralelisht me luftën më të gjerë Iran–Izrael.
Hezbollahu dhe Irani thonë se Uashingtoni kishte premtuar përfundimin e armiqësive në Liban, si pjesë e një memorandumi mirëkuptimi, të nënshkruar dy javë më parë, për t’i dhënë fund luftës më të gjerë.
Kuadri i marrëveshjes së arritur të premten, parashikon tërheqje të fazuar të forcave izraelite, nga disa zona të jugut të Libanit, si dhe vendosjen e ushtrisë libaneze.
Megjithatë, forcat izraelite do të lejohen të qëndrojnë përkohësisht, në një zonë sigurie të zgjeruar, në pritje të zbatimit të mëtejshëm.
Në një deklaratë, Qassem e quajti marrëveshjen “të pavlefshme” dhe akuzoi qeverinë libaneze, për lëshime të njëanshme dhe për minimin e sovranitetit të vendit.
Ai kritikoi gjithashtu, dispozitat që lidhin tërheqjen e Izraelit me çarmatosjen e Hezbollahut, duke thënë se ato në fakt legjitimojnë praninë ushtarake izraelite dhe kalojnë “të gjitha vijat e kuqe”.
”Grupi do të vazhdojë “rezistencën e armatosur”, tha ai.
Agjencia shtetërore libaneze njoftoi se një dron izraelit goditi sot Nabatieh al-Fawqa, një zonë jashtë zonës së sigurisë të paraqitur, në hartën e publikuar nga Izraeli.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin, duke thënë se ishte kryer me dron, pasi nuk kishte trupa në zonë.
Sipas saj, objektivi ishte një person që përbënte kërcënim, por pa dhënë detaje apo prova.
Qassem tha gjithashtu se memorandumi Iran–SHBA, i arritur më herët këtë muaj, që garanton integritetin territorial të Libanit, duhet të shërbejë, si bazë për përfundimin e konfliktit, në vend të marrëveshjes së Uashingtoni. /atsh/

