
Zico paralajmëron Brazilin: Japonia është gati për çdo kundërshtar
Legjenda braziliane e futbollit, Zico, beson se Japonia është më e përgatitur se kurrë për t’u përballur me ekipet më të mëdha të futbollit botëror, teksa pret duelin ndaj Brazilit në Kupën e Botës 2026.
Në një intervistë për FIFA-n, ish-trajneri i Japonisë tha se do të mbështesë Brazilin, por vlerësoi lart zhvillimin që ka bërë futbolli japonez gjatë dy dekadave të fundit.
“Do të jem me Brazilin. Në fund të fundit, jam brazilian. Por nëse fiton Japonia, le të fitojë. Ajo që di është se do të jetë një ndeshje e madhe, sepse Japonia luan futboll të vërtetë”, ka thënë Zico.
Ndeshja e së hënës do të jetë vetëm përballja e dytë mes Brazilit dhe Japonisë në një Kupë Bote. E para ishte zhvilluar në vitin 2006, kur Brazili fitoi 4:1 në fazën e grupeve, ndërsa në krye të ekipit japonez ishte pikërisht Zico.
Ai kujtoi se ajo përballje kishte qenë shumë emocionale për të, pasi ishte përballur me vendin e tij si trajner i Japonisë.
Sipas Zicos, Japonia e sotme është shumë më konkurruese sesa ajo e vitit 2006, kryesisht falë numrit të madh të futbollistëve që aktivizohen në kampionatet elitare evropiane.
“Japonia është në një nivel më konkurrues tani. Nga 26 lojtarët që ka në Kupën e Botës, 23 luajnë në Evropë, në Bundesliga, Serie A dhe Premier League”, tha ai.
Japonia ka arritur fazën nokaut në dy Kampionatet Botërore të fundit, por është eliminuar në mënyrë dramatike. Në vitin 2018 humbi ndaj Belgjikës pasi kishte epërsi 2:0, ndërsa në vitin 2022 u eliminua nga Kroacia pas penalltive.
“Japonia është e përgatitur të përballet me këdo. Në vitet e fundit ka mposhtur Brazilin, Gjermaninë, Spanjën dhe Anglinë. Është gati për çfarëdo që i del përpara”, theksoi ai.
Zico vlerësoi gjithashtu trajnerin e Japonisë, Hajime Moriyasu, duke kujtuar se ishte përballur me të gjatë kohës kur të dy ishin futbollistë në Japoni.
“Ka pasur teknikë të shkëlqyer dhe cilësi të mëdha. Është një tjetër mesfushor që u shndërrua në një trajner të madh”, u shpreh braziliani.
Ai pati fjalë pozitive edhe për përzgjedhësin e Brazilit, Carlo Ancelotti, duke kujtuar se kishte luajtur kundër tij gjatë karrierës.
“I mbaj mend shumë mirë të dy. Ishin mesfushorë defensivë. Fatmirësisht asnjëri nuk luante ashpër. Të dy kishin teknikë të shkëlqyer dhe kjo është arsyeja pse sot e lexojnë lojën ndryshe si trajnerë”, tha Zico.
Brazili dhe Japonia do të përballen në kuadër të Kupës së Botës 2026, në një duel që pritet të jetë shumë interesant.
