Bellingham u përgjigjet kritikëve me paraqitje brilante në fitoren e Anglisë

Bellingham u përgjigjet kritikëve me paraqitje brilante në fitoren e Anglisë

Jude Bellingham dha një përgjigje të fuqishme ndaj kritikëve, duke qenë një nga protagonistët kryesorë në fitoren 4:2 të Anglisë ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.

Mesfushori i Real Madrid u aktivizua nga trajneri Thomas Tuchel në rolin e numrit 10 dhe shpërbleu besimin me një paraqitje mbresëlënëse, duke shënuar golin e tretë të “Tre Luanëve” në suksesin ndaj kroatëve.

22-vjeçari kishte ardhur në Botëror mes dyshimeve nëse do të ishte pjesë e formacionit titullar, pas një sezoni të vështirë të shoqëruar me lëndime dhe pas marrëdhënieve jo gjithmonë të qeta me Tuchelin.

Pas ndeshjes, Bellingham tha se goli dhe paraqitja e tij ishin mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur zhurmës dhe kritikave që e kanë shoqëruar kohët e fundit.

“Ishte mirë të lija mënjanë zhurmën dhe t’i tregoja vendit tim, bashkëlojtarëve dhe të gjithëve se sa i përkushtuar jam për të ndihmuar Anglinë të fitojë ndeshje. Ndonjëherë kritikat janë pjesë e futbollit dhe nuk mbaj mëri ndaj askujt. Por sot ishte një mundësi e mirë për t’u kujtuar njerëzve se kush jam dhe çfarë mund të bëj në fushë”, deklaroi Bellingham.

Mesfushori anglez ka qenë shpesh objekt diskutimesh për karakterin e tij të zjarrtë në fushë. Vetë Tuchel kishte kritikuar më parë disa aspekte të sjelljes së tij, por pas fitores ndaj Kroacisë nuk kurseu elozhet.

“Mund të mbështetesh te Jude në këto momente. Ai i pëlqen ndeshjet me presion të lartë dhe pikërisht aty nxjerr më të mirën nga vetja”, tha trajneri i Anglisë.

Edhe veterani Jordan Henderson doli në mbrojtje të bashkëlojtarit të tij, duke theksuar se shumë nga gjërat që shkruhen për Bellingham nuk pasqyrojnë realitetin.

“Ne e dimë se çfarë lojtari dhe çfarë personi është ai. Të gjithë në ekip e vlerësojmë dhe e duam”, u shpreh Henderson.

Me këtë paraqitje, Bellingham jo vetëm që forcoi vendin e tij në formacionin e Anglisë, por edhe tregoi se mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës në rrugëtimin drejt synimeve të mëdha në Botërorin 2026.

Share This