
Malisheva përballet me Vllazninë, Ballkani sfidon skuadrën uellsiane
Skuadrat kosovare kanë mësuar kundërshtarët e tyre në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, pas shortit të hedhur këtë të martë në Nyon të Zvicrës.
Nënkampionia e Kosovës, Malisheva, do të përballet me Vllazninë e Shkodrës në një derbi shqiptar që pritet të zgjojë interesim të madh te tifozët në të dy anët e kufirit.
Ndërkohë, Ballkani do të ketë përballë ekipin uellsian Connah’s Quay Nomads, me synimin për të vazhduar traditën e paraqitjeve pozitive në garat evropiane.
Të dy klubet kosovare do t’i zhvillojnë ndeshjet e para si mysafire. Malisheva do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’u përballur me Vllazninë, ndërsa Ballkani do të luajë në Uells ndaj Connah’s Quay Nomads. Takimet e kthimit do të zhvillohen në Kosovë.
Sipas kalendarit të UEFA-s, ndeshjet e para të raundit të parë kualifikues do të luhen më 9 korrik, ndërsa sfidat e kthimit janë paraparë për 16 korrik.
Ndërkohë, fituesi i Kupës së Kosovës, Dukagjini, do ta nisë aventurën evropiane nga raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës. Klubi nga Klina kundërshtarin e tij do ta mësojë në shortin që do të hidhet të mërkurën.
Edhe klubet shqiptare nga rajoni kanë mësuar rivalët e tyre. Elbasani do të përballet me BATE Borisov nga Bjellorusia, ndërsa Shkëndija e Tetovës do të sfidojë Europan e Gjibraltarit.
Nga ana tjetër, Deçiqi i Tuzit, klubi shqiptar që garon në Mal të Zi, do të përballet me skuadrën letoneze Liepaja në përpjekje për të siguruar kalimin në raundin e ardhshëm të garës.
Shorti ka sjellë përballje interesante për klubet shqiptare në rajon, të cilat do të synojnë nisje sa më të suksesshme të sezonit evropian.

