Specialja: Avokati i Popullit nuk ka juridiksion mbi Dhomat e Specializuara

Specialja: Avokati i Popullit nuk ka juridiksion mbi Dhomat e Specializuara

Mungesa e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar në një diskutim të mbajtur në Hagë për raportin e Avokatit të Popullit lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nxitur reagime dhe kritika. Ndërkohë, Specialja ka përsëritur se Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka mandat mbi këtë gjykatë.

Javën e kaluar, qyteti i drejtësisë në Holandë mblodhi një numër të madh përfaqësuesish të ambasadave të shteteve të ndryshme evropiane, si dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar për çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Haga u bë vendtakim për diskutimin e raportit të Avokatit të Popullit, të përpiluar nga ekspertë britanikë lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, që mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.

Por, në këtë takim nuk mori pjesë askush nga Specialja, as nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Në një përgjigje për RTK-në, nga Specialja kanë përsëritur se Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka mandat për një gjë të tillë.

“Dhomat e Specializuara lëshuan një deklaratë më 11 maj, e cila u publikua në faqen e tyre të internetit, për të korrigjuar keqkuptimet e mediave që raportonin në Kosovë dhe deklaratat publike të Avokatit të Popullit të Kosovës në lidhje me përmbajtjen dhe përfundimet e raportit të BHRC-së. Siç u pasqyrua në deklaratë, Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka mandat ose juridiksion mbi Dhomat e Specializuara. Duke qenë se këto çështje tashmë u trajtuan në deklaratën e 11 majit, Dhomat e Specializuara nuk kanë komente të tjera për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndërkohë, nga Prokuroria e Specializuar nuk kanë dashur ta komentojnë këtë takim të së enjtes së kaluar në Hagë.

Ikje nga përgjegjësia e quan këtë veprim të Speciales avokati Arbër Jashari, sipas të cilit injorimi i takimit është tregues se Dhomat e Specializuara nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet.

“Vetë fakti që Gjykata Speciale nuk ka marrë pjesë flet shumë. Kjo tregon, në radhë të parë, se ata kanë pasur frikë të vijnë dhe të ballafaqohen. E dyta, ata me shumë gjasë janë të vetëdijshëm për këto shkelje që në vazhdimësi u janë bërë të akuzuarve dhe mënyra më e mirë për ta ka qenë injorimi, duke u thirrur se Avokati i Popullit i Kosovës nuk është përgjegjës ose nuk ka kompetencë të bëjë raporte të tilla. Besoj se Dhomat e Specializuara është dashur të jenë në secilën tribunë ku ato konsiderojnë se imazhi ose reputacioni i tyre po sulmohet për qëllime të caktuara”, tha Arbër Jashari, avokat.

Pas takimit në Hagë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, vlerësoi se mungesa e përfaqësuesve të Speciales është refuzim për t’i pranuar kritikat. Ndërsa, dy autorët e raportit, Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, theksuan shqetësimet lidhur me paraburgimin e zgjatur, kufizimet për lirimin e përkohshëm, transparencën e provave, pabarazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe çështje që lidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore.

Ndryshe, deri më 22 korrik pritet të merret vendimi i shkallës së parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. /RTK

Share This