Federer: Ky është gabimi që bëjnë sot tenistët
I tërhequr prej më shumë se një viti nga sporti, tenisti zviceran Roger Federer ka folur për atë që po ndodh sot në këtë sport.
Beteja për atë se cili është tenisti më i mirë, ai u shpreh: “Sot jetojmë në një botë të bazuar te numrat dhe statistikat”.
“Të gjithëve u pëlqejnë të përmirësojnë statistikat e tyre dhe të mposhtin rekordet e të tjerëve. Kjo ndoshta është mënyra për të vendosur edhe se cili është më i miri. Sapo fiton një grand slam bëhesh numri 1 dhe të gjithë pyesin për sa kohë do të qëndrosh në majë apo kur do të fitosh turneun tjetër”, ka thënë Federer.
“Për fat të keq, sot argëtimi ka kaluar në plan të dytë dhe kjo është e trishtë. Ky mekanizëm për të qenë numri 1 është ushqyer aq shumë, sa është kthyer në një problem. Të paktën kështu mendoj unë”, u shpreh Federer.
Gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme, zvicerani ka fituar 20 grand slam dhe 103 turne në total (28 turne Masters, 6 ATP Finales).