
Në Kosovë iu interpretua si “dhomë pritjeje”, Merz sqaron idenë e tij: Pjesëmarrje në Këshill e Parlament para anëtarësimit të plotë në BE
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, të premten nga Tivati ka sqaruar në detaje idenë e tij për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes asaj që e ka quajtur si “anëtarësim i asociuar”. Në një përgjigje për Gazeta Express nga Qeveria gjermane të pyetur lidhur me këtë ide dhe me interpretimin që iu bë në Kosovë, kanë përcjellë fjalën e plotë të Merz për këtë çështje.
Merz ka thënë se propozimi i tij dhe presidentit Macron ka marrë përkrahje të gjerë në Këshillin Evropian dhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kancelari gjerman ka deklaruar se tani po fillon një proces që do të mundësojë afrimin gradual të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Kancelari gjerman ka treguar se ideja e propozuar do të hapë rrugë që shtetet e Ballkanit Perëndimor të bëhen pjesëmarrës si vëzhgues në mbledhje e Këshillit Evropian dhe ndoshta edhe në Parlamentin Evropian, për këtë të fundit duhet të vendos vetë Parlamenti.
“Tani do të nisim një proces gradual, i cili në fillim do të hapë rrugën drejt institucioneve evropiane. Kjo do të bëjë të mundur, për shembull, pjesëmarrjen si vëzhgues në mbledhjet e Këshillit Evropian dhe ndoshta edhe të Parlamentit Evropian , për këtë të fundit duhet të vendosë vetë Parlamenti. Po japim një sinjal të qartë politik se proceset do të përshpejtohen; ky është vullneti ynë i përbashkët. Nuk do të ketë më justifikime, por procese shumë konkrete dhe individuale për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor”, ka sqaruar Merz.
Ai ka thënë se mesazhi i qartë është se BE i dëshiron në gjirin e saj të gjitha shtetet e rajonit.
“Qëllimi është dhe mbetet anëtarësimi i plotë i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, sepse kemi një interes strategjik që këto vende të lidhen ngushtë me ne dhe me Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër, edhe këto shtete kanë vullnetin të bëhen anëtare të BE-së”, ka sqaruar Merz.
Merz ka potencuar se përmes idesë së tij dhe të Macronit bëhet e mundur që shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesëmarrëse në Bruksel edhe pa u anëtarësuar plotësisht.
“Mund të them edhe një herë – dhe jam shumë mirënjohës për këtë – se ekziston një pajtim i gjerë si nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij, ashtu edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të ndjekur propozimin tim dhe të Presidentit Macron dhe për ta strukturuar këtë proces ndryshe nga sa është bërë deri tani. Përndryshe, do të duhej të prisnim deri në përfundimin e të gjitha negociatave të anëtarësimit dhe ratifikimeve, që dikush të mund të ishte i pranishëm në Bruksel. Këtë po e ndryshojmë tani dhe do ta zhvillojmë më tej këtë process”, ka potencuar kancelari gjemran.
Kreu i Qeverisë gjermane është shprehur se për këtë propozim të tij dhe Macron do të nevojiten edhe vendime formale për këtë.
Megjithatë ai shton se bisedimet joformale të zhvilluara në Tivat japin shpresë.
“Shumë shpejt do të arrijmë një zgjidhje vërtet të mirë dhe do t’u japim qytetarëve dhe shteteve të rajonit një sinjal të qartë: Ne ju duam në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Merz.
“Do të ketë edhe hapa konkretë që e bëjnë këtë të prekshme në praktikë, si për shembull pjesëmarrja e këtyre shteteve në sistemin evropian të pagesave SEPA, përfshirja në programin Erasmus+ dhe mundësia për t’u bërë pjesë e sistemit të roamingut të Bashkimit Evropian. Këto janë hapa konkretë që mund të ndërmerren që tani, pa qenë e nevojshme anëtarësia e plotë”, ka shtuar ai.
Kreu i MPJ-së, Glauk Konjufca, ditë më parë teksa ka folur për propozimin e Merz, ka thënë se Kosova është për integrim por jo për “dhoma pritjeje” përgjatë procesit.
“Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian… Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, ka deklaruar Konjufca në një intervistë për REL./Express/

