Superliga rikthehet me disa supersfida
Superliga e Kosovës në basketboll, rikthehet këtë vikend me ndeshjet e xhiros së 14-të.
Për shkak të ndarjes nga jeta të trajnerit të basketbollit, Illmen Bajra, të gjitha ndeshjet e kategorive seniore dhe të reja do të fillojnë me një minutë heshtje.
Bajra ka qenë ndihmëstrajner i Kosovës A, përzgjedhës i Kosovës U18 Femrat, trajner i Bashkimit te meshkujt dhe femrat, ndihmëstrajner në Prizreni 16, Sigal Prishtinë dhe Rahovec, kurse së fundi ishte trajner skuadrën gjermane të femrave Bad Homburg Falcons. Vdekja e tij e hershme tronditi komunitetin e basketbollit, që do ta përkujtojë gjithmonë.
Takimi i parë i kësaj jave është derbi ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Të dy skuadrat luajnë për fitore dhe pritet një sfidë interesante. Therandasit kanë tetë fitore e pesë humbje, kurse mitrovicasit 11 fitore e dy humbje, duke e bërë përballjen kryesore të kësaj xhiro.
Të shtunën do të ndeshen dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës, Bashkimi dhe Peja. Prizrenasit kanë katër fitore e nëntë humbje, derisa pejanët nëntë fitore e katër humbje, andaj luajnë për fitore në këtë takim mjaft interesant.
Të dielën po në Prizren do të takohen Istogu dhe Proton Cable Prizreni. Istogasit janë në vendin e fundit me një fitore e 12 humbje, ndërsa skuadra prizrenase ka katër fitore e nëntë humbje. Të dy skuadrat synojnë fitoren për synimet që kanë për këtë edicion.
Java e 14-të mbyllet me sfidën mes Sigal Prishtinës dhe Vëllaznimit. Bardhekaltrit numërojnë tetë fitore e pesë humbje, kurse kuqezinjtë shtatë fitore e gjashtë humbje, andaj pritet një sfidë interesante në kryeqytet.