Spanja shpallet kampione Bote! Parashikimet e modelit matematikor me super kalkulime

Spanja shpallet kampione Bote! Parashikimet e modelit matematikor me super kalkulime

Sipas një studimi të Goldman Sachs, gjatë turneut do të ketë përballje SHBA-Iran dhe sfida e fundit Messi-CR7. Skuadra iberike, me 26% mundësi, është favorite për të fituar Kupën e Botës 2026.

Nuk e thonë kompanitë e basteve në këtë rast, por modeli i fundit matematikor i bankës Goldman Sachs. Llogaritja merr në konsideratë numrin e golave të shënuar nga një skuadër e caktuar (skuadra i) kundër një kundërshtari të caktuar (skuadra j), duke përdorur gjithë historikun e ndeshjeve ndërkombëtare, jo miqësoreve, nga 1978-a (rreth 20 mijë ndeshje në total).

Sistemi është i ngjashëm me pikëzimin Elo, që përdoret për të klasifikuar lojtarët e shahut. Studimi tregon edhe ndikimin e talentit realizues (prania e shënuesve më të mirë të kompeticioneve kombëtare dhe ndërkombëtare), “momentumin” e skuadrës (golat e shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e fundit), si dhe të faktorëve të mentalë e gjeografikë (efekti i ndeshjes në shtëpi).

Sipas këtij studimi, Spanja ka 26% mundësi ta fitojë Botërorin, e ndjekur nga Franca (19%), Argjentina (14%), Brazili (8%) dhe Anglia (5%). Kombëtarja iberike është favorite nga pikëzimi Elo më i lartë, me një sulm prodhimtar dhe një formë të mirë të momentit.

Argjentina penalizohet nga “rënia e fituesit”, statistika tipike e kampionëve në fuqi. Franca paguan rrezikun e përballjes me Spanjën në gjysmëfinale, kurse për Anglinë peshojnë zhgënjimet e mëdha, sfida e mundshme me Meksikën në lartësi të madhe dhe shorti i pafavorshëm.

Duke i qëndruar këtij parashikimi, priten duele interesante. Në fazën e 1/8-ve duhet të ndeshen mes tyre SHBA-të dhe Irani, ndërsa në çerekfinale do të jetë ndeshja historike mes Argjentinës dhe Portugalisë, sipas të gjitha gjasave, përballja e fundit Messi-Cristiano Ronaldo.

Finalja duhet të jetë Argjentinë-Spanjë, me trofeun e Kupës së Botës që do të kthehej në Europë, pasi është fituar nga një skuadër amerikanojugore. Edhe kjo është një skemë historike. Përjashtimi i vetëm është “back to back” i Brazilit në 1958-ën dhe 1962-shin, raporton ATSH.

Në fund janë 13 skuadra, që Goldman Sachs u jep 0% mundësi për fitore. Mes tyre është edhe Bosnjë-Hercegovina, që eliminoi Italinë në Play-off.

Share This