
Lumbardha Misini bën historinë me Servette FC në Zvicër
Futbollistja kosovare, Lumbardha Misini, ka shkruar një kapitull të ri në historinë e sportit tonë, duke fituar kampionatin dhe Kupën e Zvicrës me Servette FC Women në sezonin e saj të parë me klubin nga Gjeneva.
Që nga transferimi i saj nga Trabzonspor Women, ajo ka fituar shpejt besimin e trajnerit dhe ka siguruar vendin si titullare e padiskutueshme. Me paraqitjet e saj të qëndrueshme, disiplinën taktike dhe luftën në çdo ndeshje, Lumbardha është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mesfushës defensive të ekipit gjenevas.
Arritja e saj ka një rëndësi të veçantë për futbollin kosovar. Është historike që një vajzë nga Kosova, e formuar në futbollin e Kosovës, të arrijë të fitojë dy trofetë më të rëndësishëm të futbollit zviceran. Suksesi i saj është dëshmi se talenti, puna dhe përkushtimi mund të çojnë sportistët tanë në majat e futbollit evropian.
Sezoni i ardhshëm pritet të jetë edhe më i veçantë për Lumbardhën, pasi ajo do të ketë mundësinë të përfaqësojë ngjyrat e Servette FC në UEFA Women’s Champions League, kompeticioni më prestigjioz për klube në futbollin evropian të femrave.
Lumbardha Misini sot nuk përfaqëson vetëm Servette FC-në, por edhe Kosovën, duke u bërë frymëzim për shumë vajza të reja që ëndërrojnë të arrijnë sukses në futbollin ndërkombëtar. Ky është vetëm fillimi i një rruge që premton edhe më shumë suksese në vitet që vijnë.

