
Mallorca vendos çmimin për Muriqin, kosovari drejt largimit
Krerët e Mallorcas raportohet se tashmë kanë përcaktuar çmimin për kartonin e sulmuesit të Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, i cili pritet të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.
32-vjeçari ka kontratë të vlefshme me klubin spanjoll deri në vitin 2029, megjithatë situata e skuadrës pas rënies nga La Liga ka ndryshuar planet e të gjitha palëve.
Sipas medieve spanjolle, Mallorca kërkon të paktën 18 milionë euro për transferimin e Muriqit, një shumë dukshëm më e ulët krahasuar me vlerësimin prej rreth 30 milionë eurosh që klubi kishte para rënies në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.
Interesimi për bomberin kosovar mbetet i madh. Ditë më parë u raportua se Muriqi ka arritur marrëveshje personale me Aziz Yildirimin, kandidatin për president të Fenerbahçes, për një rikthim të mundshëm në futbollin turk.
Përveç Fenerbahçes, interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe Galatasaray, Charlotte FC, si dhe gjiganti spanjollë Barcelona.
Muriqi zhvilloi një sezon fantastik në La Liga, duke realizuar 23 gola dhe duke qenë lojtari kryesor i Mallorcas në repartin ofensiv.

