
Sot Liria dhe Dinamo përballen në sfidën e barazhit
Sot zhvillohet ndeshja e barazhit në Ligën e Parë, duel që do të përcaktojë skuadrën finaliste për një vend në Superligën e Kosovës për edicionin e ardhshëm.
Pas përfundimit të sezonit, Vushtrria dhe Feronikeli ’74 siguruan promovimin direkt në elitën e futbollit kosovar, ndërsa beteja për biletën e fundit vazhdon përmes fazës së barazhit.
Në përballjen e sotme, Liria, që e mbylli kampionatin në pozitën e tretë, do të takohet me Dinamo Ferizaj, skuadrën e renditur në vendin e katërt.
Takimi do te zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, me fillim nga ora 16:00.
Fituesi i këtij dueli do të sigurojë të drejtën për të luajtur ndeshjen finale të barazhit ndaj skuadrës që e përfundon Superligën në pozitën e tetë, për ta përcaktuar ekipin e fundit pjesëmarrës në elitë sezonin e ardhshëm.
Gara për mbijetesë në Superligë mbetet ende e hapur, pasi përveç Llapi, në rrezik matematikisht vazhdojnë të jenë edhe Drenica, Dukagjini, Gjilani dhe Prishtina.

