Ramadani rrëfehet pas golit: Ja pse zgjodha Leccen
Mesfushori shqiptar i Lecces, Ylber Ramadani, që ishte protagonisti i fitores në ndeshjen kundër Frosinones me golin e tij të parë në Serie A, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Gazzetta dello Sport”.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, që do të sfidojë edhe Italinë në “EURO 2024”, ka folur për muajt e parë në Salento.
“Që ditën e parë këtu më kanë bërë të ndihem si një prej tyre, duke më pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Jetoj në qendër të qytetit, i vetmi problem është parkimi. Këtu ushqimi është shumë i mirë, më pëlqejnë makaronat dhe picat”, ka thënë Ramadani.
Drejtuesit e Lecces paguan 1.2 milionë euro këtë verë për të blerë lojtarin nga Aberdeen për të zëvendësuar Morten Hjulmand, ish-kapitenin që u shit te Sportingu në Portugali për shifrën rekord të 18 milionë eurove.
“E dija që nga dita e parë, që duhet të jepja shumë dhe gjithmonë e më shumë. Duhet të isha gjithmonë në 100%. Ai ishte shumë i rëndësishëm këtu dhe ka bërë paraqitje shumë të mira. Unë e di që duhet të punoj, e të punoj sa më shumë”, ka shtuar mesfushori shqiptar.
Ramadani tregon edhe një prapaskenë të afatit kalimtar të verës.
“Në verë më kërkonte edhe Verona. Por unë pashë këtë projekt, seriozitetin e Lecces dhe nuk pata dyshime”, theksoi ai.
Lojtari komenton edhe marrëdhënin me teknikun D’Aversa.
“Është shumë e mirë, më ka ndihmuar shumë dhe më ndihmon akoma, duke punuar edhe pas stërvitjes. Më thotë që duhet të godas portën dhe kur gjej hapësira e bëj. Kam bërë 8 gola në karrierë, vetëm një me Shqipërinë”, ka thënë mes të tjerash Ramadani.