
Arkivi i Filmit nis xhirime arkivale pas 27 vitesh
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njoftoi se ka nisur xhirimet arkivale, 27 vjet pas ndërprerjes.
Drejtori i AQSHF, Eljan Tanini, e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm që i jep arkivit një mundësi më shumë për të dokumentuar jetën shqiptare dhe për të ruajtur kujtesën kolektive të kohës sonë.
Xhirimi i fundit arkival në AQSHF datonte në vitin 1999. Rinisja e xhirimeve u bë me pamje që dokumentuan faljen e Kurban Bajramit në qendër të Tiranës si çast i rëndësishëm i jetës shpirtërore dhe sociale të vendit.
Xhirimet arkivale janë materiale filmike të ruajtura nga e kaluara, të cilat përdoren në dokumentarë, lajme, filma apo emisione për të sjellë dëshmi autentike të ngjarjeve, njerëzve dhe periudhave historike. Ato dokumentojnë realitetin e një kohe të caktuar dhe mbeten një pasuri e çmuar për brezat që do të vijnë.
Një arkivë e tillë është me rëndësi për kujtesën historike, kulturore dhe artistike të një shoqërie. Përmes tyre dokumentohen ngjarje, mënyra jetese, tradita dhe zhvillimi i kinemasë ndër vite. Xhirimet arkivale shërbejnë gjithashtu si burim i vyer për studiues, regjisorë, gazetarë dhe për këdo që dëshiron të kuptojë dhe të rikthejë në vëmendje historinë tonë, raporton ATSH.
AQSHF bëri të ditur se, çdo javë, do të ketë filmime të tilla.

