Besar Beqiri e Besart Ismajli avancojnë në kategorinë e parë të UEFA-s
Dy gjyqtarët e njohur kosovarë të futsallit, Besar Beqiri dhe Besart Ismajli, kanë shënuar një rrugëtim të suksesshëm duke avancuar në kategorizimin e UEFA-s.
Ata tani janë avancuar në kategorinë e parë, falë paraqitjeve të tyre në arenën ndërkombëtare.
Historia e tyre ndërkombëtare nisi kur Kosova u pranua në UEFA në vitin 2016. Në fillim, ata ishin në kategorinë e tretë, por duke treguar potencialin dhe përkushtimin ndaj referimit arritën të avancojnë në kategorinë e dytë.
Me kalimin e kohës dhe përvojën e zgjeruar, Beqiri dhe Ismajli arritën të marrin vlerësimin e merituar dhe të bëhen pjesë e kategorisë së parë të referëve në UEFA.
Kjo kategori është vetëm një hap larg nivelit elitar të UEFA-s dhe tregon jo vetëm profesionalizmin e tyre, por edhe cilësinë dhe aftësinë për të drejtuar me sukses ndeshje të rëndësishme.
Kjo arritje e Beqirit dhe Ismajlit nuk është vetëm një sukses personal, por edhe frymëzim për të gjithë gjyqtarët e rinj në Kosovë.