Emergjenca në mbrojtje, Ancelotti kërkon një përforcim në janar
Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti e ka lënë të hapur derën për një blerje të re në merkaton e janarit, ku me shumë gjasa do të jetë një qendërmbrojtës.
Pasi David Alaba këputi ligamentin e gjurit, kjo bën që klubi spanjoll të ketë vetëm Rudiger dhe Nacho si qendërmbrojtës natyralë. Eder Militao thuhet se është pranë përfundimit të rikuperimit të tij, por do të kthehet në shkurt.
“Kemi folur me klubin, do ta vlerësojmë në ditët në vijim. Kemi kohë ta bëjmë sepse merkato përfundon në datën 31 dhe ne do të kërkojmë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Tani për tani, nuk jemi me nxitim, do të marrim një vendim së bashku.
Rafa Marin? Nuk është koha për të përmendur emra. Mendoj se ekziston mundësia për të nënshkruar me një lojtar, nëse ata janë të mirë për klubin, ne do ta bëjmë atë”, përfundoi Ancelotti.