
Rusia kërcënon Ukrainën: Do sulmojmë, të huajt të largohen nga Kievi
Rusia u bëri thirrje qytetarëve të huaj të largohen nga Keivi para se të nisë një “seri goditjesh sistematike” kundër objektivave ushtarake në kryeqytetin e Ukrainës, një ditë pas njërës prej bombardimeve më të rënda të qytetit që nga fillimi i luftës, ku u godit edhe rezidenca e ambasadorit të Shqipërisë në Ukrainë.
Ministria e Jashtme ruse deklaroi se goditjet janë përgjigje ndaj asaj që Moska e quan sulm i qëllimshëm me dron në një konvikt studentësh në rajonin Luhansk të kontrolluar nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Ushtria ukrainase i mohoi akuzat ruse dhe tha se ka goditur një njësi elitare komandimi dronësh në atë zonë.
“Në këto rrethana, Forcat e Armatosura të Federatës Ruse po nisnin një seri goditjesh sistematike kundër ndërmarrjeve të kompleksit ushtarako-industrial ukrainas në Kyiv”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse.
Goditjet do të përfshijnë vende specifike të projektimit dhe prodhimit të dronëve, si dhe qendra vendimmarrëse dhe poste komandimi.
Në Kyiv, shpëtimtarët punonin të hënën për të pastruar pasojat e goditjeve të së dielës, të cilat autoritetet thanë se lanë dy të vdekur dhe 91 të plagosur.
Moska përdori një raketë hipersonike Oreshnik pranë Kyiv-it – hera e tretë që përdor këtë armë të aftë për të mbartur armë bërthamore në më shumë se katër vjet luftë.
Rreth 300 vende në të gjithë Kyiv-in u dëmtuan, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Një prej tyre ishte një muze i ri i hapur për të kujtuar katastrofën bërthamore të Çernobil-it të vitit 1986, i cili u dëmtua rëndë.
“Që sot, nuk ka asnjë dhomë në Muzeun Kombëtar të Çernobilit që të mos jetë dëmtuar”, tha drejtoresha e muzeut Vitalina Martynovska për Reuters.
Më shumë se 70 diplomatë të huaj shkuan të hënën për të nderuar viktimat e goditjeve në një lagje të rëndë dëmtuar në Lukyanivka.
Ambasadori francez në Ukrainë, Gael Veyssiere, vuri në dukje se njerëzit e zakonshëm u kthyen në punë dhe vazhduan jetën e përditshme.
“Është një mënyrë për të demonstruar qëndrueshmëri dhe mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne, në mbarë botën, ta mbështesim këtë”, tha ai për Reuters.
Ndërkohë, Ukraina vazhdoi sulmet e veta ndaj infrastrukturës dhe objektivave industriale ruse. Në rajonin rus Belgorod, një burrë u vra dhe një tjetër u plagos në një sulm me raketa e dronë që preu edhe furnizimin me ujë dhe energji.
Katër persona, përfshirë dy adoleshentë, u vranë në qytetin Horlivka të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore, tha kryetari i bashkisë Ivan Prikhodko, duke akuzuar Ukrainën.
Në Ukrainë, dy persona u vranë dhe 16 u plagosën nga granatime, raketa dhe dronë rusë në rajonin jugor Kherson gjatë 24 orëve të fundit. Në një sulm me raketë në Derhachi pranë Kharkivit, dy persona u vranë dhe mbi 20 u plagosën.
Rusia dhe Ukraina mohojnë se godasin qëllimisht civilët që nga pushtimi rus në shkurt 2022. Përpjekjet amerikane për ndërmjetësim nuk kanë arritur të ndalin luftën. /rtsh/

