Zhegrova është 10 milionëshi i ri i Kosovës, disa yjeve Dardanë iu ul dukshëm vlera e kartonit, por sa “peshojnë” Rrahmani, Muriqi, Rashica…?
Edon Zhegrova është pa dyshim futbollisti më në formë i Kombëtares së Kosovës aktualisht.
Ylli kosovar është bërë një titullar i padiskutueshëm tek Lille.
Ndërsa, kapakun formës së jashtëzakonshme ia vendosi në ndeshje me Paris Saint-Germainin në fundjavën që e lamë pas, kur ishte i pandalshëm për futbollistët parisienë.
24 vjeçari në fakt i ka shënuar 3 gola dhe i ka bërë 5 asistime në të gjitha garat në këtë sezon deri tash.
E kjo formë optimale e “Messit kosovar” ka bërë që edhe vlera e tij në treg të rritet.
Uebfaqja e specializuar për vlerat e futbollistëve “Transfermarkt” e ka bërë një “update” të vlerës së kartonit të futbollistit ofanziv.
Herën e fundit, më saktësisht më 27 qershor, kartoni i Zhegrovës ishte rritur në 8 milionë euro.
Ndërsa tash, sajti gjerman e rriti për dy milionë vlerën e kartonit të ish-futbollistit të Baselit, i cili tash vlen 10 milionë euro.
Me këtë rast, ai u ngrit në pozitën e tretë sa u përket lojtarëve më të vlefshëm të Kombëtares së Kosovës, shkruan “Express”.
Zhegrova, i cili ka kontratë me Lillen deri në vitin 2026, megjithatë mund të largohet nga Franca në verën e ardhshme për t’u transferuar në një klub më të madh evropian.
E se si qëndron puna me vlerat e kartonëve të yjeve të tjerë të Kombëtares së Kosovës, do t’ua zbuloj në vazhdim.
Pa diskutim, lojtari më i shtrenjtë i “Dardanëve” është Amir Rrahmani.
Qendërmbrojtësi stabil, i cili u shpall kampion me Napolin gjatë verës, deri sot në mesditë vlente 25 milionë euro në treg, ndërsa në orët e fundit vlera e tij ra për 5 milionë euro, respektivisht në 20 milionë.
E pozita e dytë në këtë aspekt i takon Vedat Muriqit.
Vlera e “Piratit” nuk ka lëvizur që nga vera e këtij viti.
Sulmuesi dhe lojtari kryesor i Mallorcës vlerësohet 15 milionë euro.
I katërti në listë është Milot Rashica.
Futbollisti vushtrrias, i cili gjatë verës u ble nga Besiktasi pas një sezoni fantastik me Galatasarayn, me të cilin u shpall kampion i Turqisë, vlerësohet 8,5 milionë euro.
Ndërkaq, portieri Aro Muriç pati rënie drastike në vlerën e kartonit.
Nga 12 milionë euro sa kushtonte gjatë verës, tash portieri i Burnleyt vlen 7 milionë euro.
Muriç njëkohësisht e kompleton Top 5-shen e lojtarëve më të vlefshëm të Kombëtares.
Edhe lojtarët tjerë të Kosovës kishin rënie në vlerën e kartonit të tyre.
Duke nisur nga Mërgim Vojvoda, i cili disa muaj më parë vlente 5 milionë euro, e tash 4 milionë.
Arbër Zeneli vlente 4 milionë, por ylli i dikurshëm i “Dardanëve” e vazhdoi rënien dhe tash vlen 3 milionë euro.
Florent Hadërgjonaj gjatë verës vlente 3.1 milionë e tash 2.8.
Zymer Bytyqi muaj më parë vlente 3,5 milionë, ndërsa tash vlerësohet me 2 milionë në treg.
Vlera nga 2,5 milionë euro i ka rënë në 1,8 milionë edhe Bersant Celinës, i cili u transferua në ekipin suedez, AIK.
Pra, përpos Zhegrovës, pjesa dërrmuese e lojtarëve të Kosovës patën rënie të vlerës.
E fatkeqësisht rënie pati edhe Kombëtarja e Kosovës, e cila dëshpëroi në kualifikimet e Euro 2024.