Të paktën 10 të vdekur pas sulmeve izraelite ndaj objekteve të Hezbollahut

Të paktën 10 të vdekur pas sulmeve izraelite ndaj objekteve të Hezbollahut

Izraeli ka kryer sulme gjatë natës ndaj objekteve shëndetësore të lidhura me Hezbollahun, duke shkaktuar të paktën 10 viktima, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, ndërsa përplasjet e ndërsjella vazhdojnë pavarësisht armëpushimit.

Mes të vrarëve janë gjashtë punonjës punonjës të kujdesit shëndetësor të urgjencës dhe një fëmijë, thanë autoritetet.

Po ashtu, një numër i madh personash janë plagosur gjatë sulmit izraelit. Ushtria izraelite nuk ka dhënë ende një koment për ngjarjen.

Autoritetet izraelite kanë akuzuar vazhdimisht grupin Hezbollah, se përdor objekte shëndetësore si mbulesë për armë dhe luftëtarë, akuza që qeveria libaneze, e cila nuk është palë në konfliktin aktual, i ka hedhur poshtë.

Ministri i Shëndetësisë, Rakan Nassereddine, i ka dënuar sulmet duke i cilësuar si shkatërrim i synuar sistematik i sektorit shëndetësor.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga përshkallëzimi i fundit i dhunës në fillim të marsit, janë vrarë 116 punonjës shëndetësorë, janë dëmtuar 16 spitale dhe janë goditur 147 ambulanca.

Në një zhvillim të veçantë, ushtria izraelite tha se ka vrarë dy persona të armatosur pranë kufirit në jug të Libanit.

Përshkallëzimi i ri mes Izraelit dhe Hezbollahut vjen pas sulmeve të Hezbollahut ndaj Izraelit pas fillimit të luftës SHBA–Izrael kundër Iranit më 28 shkurt.

Qeveria libaneze dhe Izraeli ranë dakord për një armëpushim në mes të prillit, por Hezbollahu nuk ishte palë në marrëveshje dhe përplasjet e ndërsjella kanë vazhduar.

Izraeli gjithashtu vijon të mbajë trupa në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu ka refuzuar të negociojë me Izraelin. /atsh/

Share This