DnV: Vendimi për pagesa të njëhershme para zgjedhjeve, shkelje ligjore dhe keqpërdorim i resurseve publike

DnV: Vendimi për pagesa të njëhershme para zgjedhjeve, shkelje ligjore dhe keqpërdorim i resurseve publike

Demokracia në Veprim (DnV) ka reaguar ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme për kategori të ndryshme të qytetarëve, pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Sipas DnV-së, ky vendim përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe paraqet keqpërdorim të resurseve publike në një periudhë të ndjeshme zgjedhore.
Në reagimin e saj, organizata vlerëson se shpërndarja e mjeteve financiare në këtë fazë ndikon drejtpërdrejt në ambientin zgjedhor dhe cenon barazinë e garës politike.

“Veprime të tilla krijojnë avantazh të padrejtë për subjektin politik në pushtet, duke ndikuar potencialisht në vullnetin e votuesve”, thuhet në reagim.

DnV rikujton se legjislacioni zgjedhor ndalon në mënyrë të qartë përdorimin e resurseve publike për qëllime që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor. Këto resurse përfshijnë buxhetin e shtetit, infrastrukturën publike dhe administratën, veçanërisht gjatë periudhës së fushatës.

Organizata i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të respektojnë standardet ligjore dhe të garantojnë një proces zgjedhor të drejtë dhe të barabartë për të gjitha subjektet politike.

Share This