
Filmi `Dua` fiton çmimin prestigjioz SACD në Festivalin e Cannes-it
Dua, filmi i parë nga Kosova që është përzgjedhur ndonjëherë në Javën e Kritikës në Cannes, ka fituar çmimin SACD për skenarin, të shkruar nga Blerta Basholli në bashkëpunim me Nicole Borgeat.
Në arsyetimin e jurisë thuhet se filmi e rrëfen luftën “siç nuk e kemi parë kurrë më parë”, duke sjellë historinë e “luftërave të harruara” dhe të një vajze 13-vjeçare që dëshiron të kërcejë, të qeshë, të dashurojë.
“Heroina e këtij filmi dëshiron të jetojë jetën e saj si adoleshente, të kërcejë, të qeshë, të dashurojë, thjesht të jetojë”, thuhet në arsyetimin e jurisë.
Çmimi u nda në kuadër të edicionit të 65-të të Javës së Kritikës, seksion që kurohet nga Ava Cahen dhe zhvillohet paralelisht me Përzgjedhjen Zyrtare, duke iu kushtuar filmave të parë dhe të dytë të regjisorëve.
Juria e këtij edicioni u kryesua nga regjisorja indiane Payal Kapadia, filmi i së cilës All We Imagine as Light fitoi Çmimin e Madh në konkurrencën e Cannes 2025.
Çmimi jepet nga Shoqata e Autorëve dhe Kompozitorëve Dramaturgjikë (SACD) dhe vlerëson autorët dhe skenarët me stil origjinal dhe të fuqishëm artistik.
Ngjarja zhvillohet në fundin e viteve të ’90-ta në Prishtinë, ku protagonistja kryesore e cila është 13-vjeçare, Dua rritet në kohën kur Kosova është nën okupim dhe tensione të vazhdueshme. Teksa përballet me dhunën e përditshme dhe mundësinë për t’u larguar nga vendi, Dua duhet të mësojë si ta mbrojë veten fizikisht dhe emocionalisht nga sfidat e pandërprera që i dalin përpara.
Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë Pinea Matoshi, Arben Bajraktaraj, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe Mila Savić.
Lidhur me suksesin e arritur të filmit Dua në Festivalin e Cannes-it, ka reaguar U.D. e presidentja e Kosovës Albulena Haxhiu.
Ajo e ka cilësuar çmimin SACD të fituar nga filmi i regjisores Blerta Basholli, me Pinea Matoshin në rolin kryesor, si një lajm të mirë për kinematografinë e Kosovës.
“Ky është një çmim i rëndësishëm për autorësinë kinematografike, që vlerëson zërin autorial dhe origjinalitetin krijues të filmit”, thuhet në reagim, raporton rtk.
Tutje, ajo ka uruar Blerta Bashollin, Pinea Matoshin dhe gjithë ekipin e filmit, duke theksuar se suksesi i tyre është edhe një hap i rëndësishëm për praninë e Kosovës në kinematografinë ndërkombëtare.
Lidhur me këtë sukses ka reaguar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës,
“Ky është një moment shumë i veçantë për gjithë ekipin që ka punuar me përkushtim e dashuri në këtë film, dhe arritje e madhe për kinematografinë tonë”, thuhet në reagim. Burimi: awardswatch , sacd.fr

