SHBA anulon sulmin ndaj Iranit, Trump: Po zhvillohen negociata të cilat mund të sjellin marrëveshje

SHBA anulon sulmin ndaj Iranit, Trump: Po zhvillohen negociata të cilat mund të sjellin marrëveshje

Presidenti i SHBA-së Donald Trump përmes një postimi në “Truth Social” njoftoi se me kërkesë të liderëve të Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve Arabe shtyu një sulm të planifikuar ndaj Iranit  për këtë të martë, pasi sipas tyre ekziston mundësia për një marrëveshje të pranueshme me Teheranin.

“Po zhvillohen negociata serioze. Më është thënë se mund të arrihet një marrëveshje që do të jetë shumë e pranueshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për të gjitha vendet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Nuk do të ketë asnjë armë bërthamore për Iranin”- deklaroi Trump,  duke shtuar se edhe pse e ka shtyrë sulmin ai ka dhënë udhëzime që SHBA të jenë e përgatitur për të vazhduar një sulm të plotë dhe në shkallë të gjerë ndaj Republikës Islamike në rast se dështon të arrihet një marrëveshje e tillë.

Çmimet globale të naftës shënuan rënie pas deklaratave të presidentit Trump, me naftën e papërpunuar Brent që u tregtua me 110 dollarë për fuçi këtë të martë. Shtetet arabe të Gjirit Persik druajnë se një përshkallëzim i konfliktit mund të sjellë sulme nga Irani ndaj aeroporteve, rafinerive të naftës dhe impianteve të ujit në rajon, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe energjetik. Ndërkohë, Irani vijon të mbajë nën kontroll Ngushticën e Hormuzit, ndërsa SHBA vijon bllokadën ndaj porteve iraniane në atë rajon. /rtsh/

Share This