Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai

Trump: Xi e cilësoi “të vështirë” lirimin e manjatit të medias, Jimmy Lai

Presidenti amerikan, Donald Trump diskutoi rastin e aktivistit të burgosur pro-demokracisë në Hong Kong, Jimmy Lai, gjatë bisedimeve me presidentin kinez Xi Jinping, në Pekin – por ka marrë përgjigjen se lirimi i tij është një çështje e vështirë.

 

Familja dhe mbështetësit e 78-vjeçarit, një shtetas britanik, kishin shpresuar se presidenti amerikan, Trump mund të ndihmonte në sigurimin e lirimit të tij.

Lai u dënua këtë vit me 20 vite burg, sipas një ligji të sigurisë, të vendosur nga Pekini.

Manjati i medias, një figurë me ndikim në lëvizjen pro-demokracisë në ish-territorin britanik, u arrestua në vitin 2020 pas protestave masive antiqeveritare.

Ekipi ligjor i Lai tha se ai ka probleme shëndetësore, duke shtuar frikën se mund të vdesë në burg.

Duke folur në bordin e avionit presidencial “Air Force One” ndërsa kthehej nga vizita dyditore në Kinë, Trump tha se Xi nuk ishte optimist për rastin e Lai.

“E ngrita si çështje, por është më e vështirë për të”, tha udhëheqësi amerikan.

“Xi tha se rasti i Jimmy Lai ishte i vështirë”, tha Trump.

Vajza e Lai, Claire, tha se ishte mirënjohëse ndaj Trump për angazhimin e tij për lirimin e të atit.

“Ai e ka fituar reputacionin e tij si dikush që çliron të burgosurit e padrejtë dhe jam e bindur se ai dhe administrata e tij do të jenë ata që do ta lirojnë babanë tim”, tha ajo më herët.

Ajo shtoi gjithashtu se kjo ishte një mundësi për Xi që të bënte gjënë e vetme të drejtë dhe të ndershme.

Rasti i Jimmy Lai ka shkaktuar shqetësim në shumë vende, sidomos në Britaninë e Madhe, pasi shumë njerëz mendojnë se ai po ndëshkohet për shkak se ka mbrojtur premtimet për demokraci që ishin dhënë kur Hong Kongu iu dorëzua Kinës në vitin 1997.

Polemikat u thelluan më tej pasi qeveria britanike dha miratimin për ambasadën e re gjigante të Kinës në Londër, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për sigurinë dhe paralajmërimeve nga shërbimi i inteligjencës së brendshme MI5 mbi kërcënimin që paraqet Pekini për sigurinë kombëtare të BM-së. /atsh/

Share This