
‘Plani i Rritjes’ i Bashkimit Europian, Kos: Do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi
Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes.
Bëhet fjalë për fondin prej 200 milionë eurosh, që unioni do të shpërndajë ditët në vijim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, para takimit në Bruksel mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të unionit dhe homologëve të tyre në gjashtë vendet e rajonit.
“Kam një mesazh shumë të qartë: ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, atëherë edhe ne duhet të përmbushim detyrat tona. Në planin e rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, u shpreh Kos.
Plani i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në vlerën e 6 miliardë eurove, synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të unionit me gjashtë vendet e rajonit.
Aktualisht, Komisioni Europian ka ngrirë fondet për Serbinë, për shkak të ligjeve kontestuese për drejtësinë. Duke folur nga Brukseli, komisionerja Kos tha se shteti nuk ka marrë fonde evropiane që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë./TCH

