Futbollistët kundër formatit të ri të Botërorit për klube, ja arsyeja
Futbollistët dalin hapur kundër formulës së re të Kupës së Botës për klube me 32 skuadra që do të marrë jetë në vitin 2025.
“FIFPRO”, shoqata botërore e futbollistëve, ka reaguar përmes një njoftimi kundër FIFA-s.
“Nuk merret në konsideratë shëndeti mendor dhe fizik i lojtarëve që marrin pjesë në turne si dhe ka një nënvlerësim për jetën e tyre personale dhe familjare”, thuhet në njoftimin e “FIFPRO”.
Sipas këtij njoftimi, “FIFPRO” thekson se Botërori i ri për klube do të reduktojë ditët e pushimit dhe të rikuperimit të lojtarëve në fund të sezonit 2024-2025 dhe do të ndikojë në punën dhe ekuilibrin mes garave kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lojtarët detyrohen të performojnë për 11 muaj dhe nuk kanë mjaftueshëm kohë për të pushuar në prag të sezonit të ri.
“Presioni i madh fizik dhe mendor janë shqetësimi kryesor i futbollistëve që marrin pjesë në shumë turne për klube dhe kombëtare. Ndeshjet e shumta sjellin lodhje, probleme fizike, probleme të shëndetit mendor, paraqitje jo të mira, që rrezikojnë jetëgjatësinë e karrierës. Për këtë arsye i kërkojmë FIFA-s që të bisedojë me të gjitha palët e interesuara për të sjellë disa rregulla bazë për shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve profesionistë ”, thuhet në njoftimin “FIFPRO”.